Përjashtimi i Shkumbinit dhe inekzistenca e shtetit në Shqipëri!

Thuhet se dhuna është atribut i të dobëtit! Kështu ka qenë kur me kanun vriteshin njerëz në bazë familjeje apo fisi, kur faji ishte individual, kur internohej familja po sepse një individ quhej fajtor, dhe kështu ndodh edhe tani kur përjashtohet skuadra e një qyteti për veprimin e një, dy apo pesë individëve.

Shkumbini i Peqinit u përjashtua nga çdo veprimtari futbolli për sezonin në vazhdim, pas dhunës së ushtruar nga disa persona ndaj arbitrit në fushë, në ndeshjen ndaj Dinamos. Në bazë të ligjit të ndryshuar, personat në fjalë rrezikojnë burgun dhe besohet se kjo gjë mjafton si dënim i ashpër. Padyshim, mund të dënohet fusha me disa ndeshje pezullim, apo të luhet pa tifozë po për disa ndeshje, veçse që të përjashtohet gjithë ekipi dhe tifozët të mos shohin futboll në qytetin e tyre, kjo është e tepërt.

E gjitha kjo ndodh sepse shteti shqiptar nuk ka autoritetin që të vendoë rregullin nëpër rrethe, sidomos në qytetet e vegjël, kur njerëzit njihen të gjithë me njëri-tjetrin, dhe ku të fortët kanë bërë ligjin, kanë bërë pasuri dhe kanë siguruar vota për partitë politike. Ekziston frika se pavarësisht ndonjë dënimi me burg, sërish do të ketë të fortë që do të sigurojnë vota dhe që do të bëjnë si zotër në qytet, ndaj edhe në FSHF i bien shkurt.

Sfidanti.al