Edi Reja e nënshkruan në janar kontratën e re si trajner i Shqipërisë!

Firma pritet të vijë shpejt, madje në grup. Edi Reja do të nënshkruajë kontratën e re me Federatën Shqiptare të Futbollit deri në 21 janar, dhe bashkë me të do të jenë edhe ndihmësit e tij. Përveç shqiptarëve si Ervin Bulku e Hamdi Salihi si dhe trajnerit të portierëve Ilir Bozhiqi, do të rinovojnë edhe përgatitësi atletik, Luixhi Febrari që ka qenë pjesë e Romës, si dhe mjeku Xhanluka Stezina, që ka qenë tek Juventusi.

Përtej rinovimit që do ta mbante italianin në stolin e kombëtares shqiptare deri në Botërorin 2022, Federata ka edhe plane të tjera. Dy ndihmësit italianë të Rejës do të jenë drejtues të dy departamenteve të reja, që do të mbulojnë pikërisht përgatitjen atletike dhe mjekësinë sportive. Febrari dhe Stezina do të bëjnë kurse kualifikimi me klubet e Superligës për këto elementë-bazë të skuadrave të futbollit, dhe kjo ka qenë tema që është diskutuar mes Rejës dhe Dukës pak ditë më parë, kur tekniku ishte në Shqipëri.

Febrari dhe Stezina do të duhet të kalojnë më shumë kohë në vendin tonë se deri tani, për të përmbushur detyrën e tyre të re. Natyrisht, kjo mund të kërkojë edhe rritje të pagës për ndihmësit e Rejës.

Sfidanti.al