Dinamo e Zagrebit – kundër krijimit të ligës ballkanike të futbollit

Ideja e krijimit të një lige ballkanike ose rajonale të futbollit sipas shembullit të ligës rajonale të hendbollit (SEHA) dhe asaj të basketbollit (ABA), gjatë këtyre ditëve të fundit, ka njohur zhvillime të reja. Klubet e vendeve që kanë përbërë dikur ish-Jugosllavinë po mbajnë qëndrime të ndryshme rreth krijimit të kësaj lige, ndërkohë që Dinamo e Zagrebit ishte e para që e bëri të qartë qëndrimin e saj lidhur me këtë çështje, duke vënë në dukje se një konkurim i tillë, tani për tani, nuk do të jetë prioritet i saj.

“Mund t’iu themi se, në parim, Dinamo e Zagrebit, si prioritet, ka kampionatin e Kroacisë, ndërsa, sa i përket krijimit të një ligë rajonale, sidomos, sipas formatit që po pëmendin mediumet e rajonit, pra, vetëm me pjesëmarrjen e klubeve të hapësirës së vendeve të ish-Jugosllavisë, ne, thjesht, nuk jemi të interesuar”, bëri të ditur kryesia e këtij klubi kampion dhe më me shumë trofe të Kroacisë. Klubi kroat i dytë që përmendet si pjesëmarrës eventual i kësaj lige, ende të paformuar, është Hajduku i Splitit, kryesia e të cilit, nga ana e saj, refuzoi që të bëjë komente lidhur me zhvillimet e mësipërme, duke qenë se, sikurse theksoi ajo, nuk ka marrë asnjë njoftim zyrtar.

“’Hajduku mund ta bëjë të qartë qëndrimin e vet vetëm, kur të marrë njoftim zyrtar. Deri tani, ajo që dimë ne, është ajo që kemi lexuar në shtyp. Askush nuk na ka kontaktuar lidhur me konkurrimin rajonal, për të cilin bëhet fjalë, madje as Federata e Futbollit të Kroacisë nuk na ka njoftuar rreth këtij konkurrimi eventual.

Sfidanti.al