“Cunami demokratik” nuk ndalet dhe El Klasiko është në ajër!

Çfarë belaje për dy klubet më të shquar të Europës. Barcelona dhe Reali i Madridit nuk dinë se kur dhe ku ta luajnë duelin mes tyre, “El Klasikon” e famshëm që ua sheh gjithë rruzulli. Kjo, sepse ngjarjet në Katalonjë kanë marrë një kthesë të rrezikshme dhe protestuesit pro-pavarësisë kërcënojnë të ndalojnë zhvillimin e ndeshjes së futbollit. Pasi e shtynë një herë nga 26 tetori në 18 dhjetor, aktivistët e organizatës “Cunami Demokratik” kanë shpallur synimin që të protestojnë në 18 dhjetore përpara stadiumit “Kamp Nou” në një numër prej 20 000 njerëzish. Deri tani, 18 000 janë regjistruar për pjesëmarrje.

Pas kësaj, u vendos të mbahet sot një mbledhje urgjente e Federatës Spanjolle të Futbollit, për të diskutuar masat që duhen marrë. Federata ka fuqinë të caktojë një stadium neutral nëse gjendja nuk qetësohet, ndërsa klubet nuk janë ftuar për të marrë pjesë në takim. Barcelona është përfshirë nga protestat pas dënimeve me burg afatgjatë të disa politikanëve që organizuan referendumin për pavarësinë e Katalonjës nga Spanja.

Sfidanti.al