Tekniku është gjithnjë ai që e pëson i pari, por asnjë klub nuk shpëton nga një krizë krijuar mbi kurrizin e tij. Karlo Ançeloti, një nga trajnerët më të famshëm të Europës, mori “dënimin kapital” nga Napoli, madje edhe pse fitoi 4-0 ndaj Genkut dhe drejtoi Napolin në kualifikimin për në turin e dytë të Championsit. Klubi i Italisë Jugore njoftoi vendimin zyrtar në rrjetet sociale, shpejt pas suksesit në “San Paolo”.
Menjëherë pas ndeshjes me belgët, Ançeloti ishte pyetur për dorëheqjen dhe ishte shprehur se “nuk e kam bërë kurrë në jetën time, dhe nuk kam ndërmend ta bëj”. Ai kishte shtuar se “nesër (sot) do të takoj (presidentin) De Laurentisin për të biseduar për të ardhmen”. Nuk qe nevoja për takimin, të paktën shkarkimi erdhi pa u parë sy më sy me presidentin. Veterani 60-vjeçar i stolit ishte shkarkuar edhe nga Bajerni pak kohë më parë, ndërsa nuk pati sukses të madh as tek Paris SG.
Xhenaro Gatuzo paraqitet si kandidatura kryesore për të pasuar Ançelotin tek Napoli, ndërsa gjendja në klub u bë tepër e rëndë pas vendimit të presidentit për të izoluar skuadrën, dhe refuzimit nga ana e disa prej lojtarëve kryesorë.
Sfidanti.al