Ka disa ndeshje futbolli, për të cilat thuhet se ngjasojnë me ndeshjet e keçit, ku skuadrat në fushë, tamam si mundësit e keçit në ring, një herë “fiton” njëra dhe tjetra kalon në pasivitet, e pastaj.. ndërrohen rolet përsëri. Ajo që ndodhi në ndeshjen Tirana me Kukësin nuk kishte një ligjësi të tillë, pasi Tirana dominoi në minutat e prologut, shënoi dhe golin e endërruar , pa e ditur se pas festës për avantazhin rolet do të ndryshonin kryekëput. Tirana u shfaq me një fytyrë të zbehtë, disi e trembur në lojë, duke u strukur në portën e saj dhe Kukësi, pati privilegjin e madh, për meritë dyfishe , të vetën dhe të kundërshtarit, të frymëzonte një nga ndeshjet më argëtuese. Kanë ndodhur shumë përmbysje në Superligë, nga ato që mbajnë erë dhe nga ato që nuk mbajnë erë, por kjo e Kukësit në kurriz të Tiranës, do të kujtohet si një përmbysje , ku 3 golat dhe loja pushtuese , krijuan një amalgamë që s’ ishte shijuar prej kohësh…
Ka shumë pyetje pas kësaj ndeshjeje , e cila e thelloi ndjeshëm zhgënjimin e tifozëve të Tiranës, kurse në anën tjetër, ka ndezur oreksin e tifozëve të Kukësit se ekipi i tyre, kur i shkrepet në kokë, luan më shëndetshëm se rivalët për titull. Thonë, dhe besohet më shumë këtë herë, se 3 golat e kuksianëve ishin të denjë për muze nga mënyra e ekzekutimit. Penalltia e Shkurtaj, mund të shijohet si një gjest teknik, por dhe rebelues, ku guximi e kapërcen arsyen, ndërsa shikon topin që shkon në portë sipas trajektores së famshme “alla Panjenka”.Po goli i Gavazajt,? Një prelud me të majtën, si për të mbyllur gojët e atyre që predikonin se talenti i tij ka filluar të vyshkej. Kurse goditja kristalore nga encja e Abazajt.. vulosi cilësinë e spektaklit të tyre në ndeshjen me Tiranën. Ishte një fitore pikante për Kukësin dhe humbje e hidhur për bardheblutë, nga e cila edhe mund të “fitosh”. Ishalla e kanë kuptuar leksionin e radhës, që ishte si shuplakë për thirrjet e saj, gati të pamoralshme, se do të shpallet kampione, jo se ka 100 probleme, por se ka 100- vjetorin e jubileut të klubit!
G.Sinemati
Botuar ne Panorama Sport