Nuk ishte e lehtë, sidomos pasi Peter Olajinka fitoi 11-metërsh për çekët. Sllavia e Pragës arriti një barazim momental 1-1 ndaj Interit në stadiumin e saj, kur Tomas Souçek realizoi në minutën e 37-të, duke anuluar avantazhin e hershëm të Interit arritur me anë të Lautaro Martinezit. Fjala e fundit nuk ishte thënë, gjithsesi, dhe dyshja “më e bukur” (siç e quajnë në Itali), i dha suksesin formacionit të Antonio Kontes. Romelu Lukaku realizoi golin tepër të rëndësishëm për 2-1, 9 minuta para fundit dhe sërish Lautaro Martinez siguroi suksesin 3-1. Dyshja Lu-La vazhdon të jetë e pagabueshme në çdo ndeshje.
“Lautaro-Lukaku si përrallë, – titullon “La Gazeta delo Sport”, – arritje e madhe e Interit në Pragë, tani kualifikimi është i mundshëm”. Konte u shpreh i kënaqur, më në fund. “Jam i lumtur pr sulmuesit e mi, – tha ai, – shënojnë, luajnë mirë dhe kanë ende mundësi të mëdha përmirësimi. Borha Valero është një shembull i madh për gjithë grupin”. Konte krahasohet me “Mbretin Mida” të lashtësisë që çdo gjë që prekte e kthente n ëar. Edhe trajneri sapo e ka prekur Interin, e ka kthyer në pretendent. Në Pragë nuk ishin Sensi, Barela dhe Asamoah, ndërsa Galiardini ishte në stol, me probleme fizike. Mesfusha ishte e “stilit të vjetër” me Borha Valeron, por sërish me sukses.
“Kishim vetëm një alternativë, që të fitonim, – vazhdoi Konte, – dhe ia dolëm. Tani duhet të mundim Barcelonën. Do të jetë shumë e vështirë, por do të kemi 80 000 tifozë me vete”. Barcelona është kualifikuar më 11 pikë, Interi e Dortmundi kanë nga 7, ndërsa Sllavia e Pragës ka 2 pikë.
Sfidanti.al