Klop i kërkon falje tifozëve të Liverpulit pas barazimit me Napolin

Nuk është turp të dalësh 1-1 me skuadrën nënkampione në fuqi të Italisë, edhe pse në “Anfild” besonin se mund të bënin më shumë. Nuk qe e mundur të merrej maksimumi, as të sigurohej vendi i parë apo kualifikimi, dhe trajneri Jurgen Klop u kërkoi falje tifozëve. “Më vjen keq, pasi tifozët shpresonin që ne të fitonim, të kualifikoheshim e të dilnim në vend të parë në grup, kështu që ata të kishin mundësi që udhëtimin në Salcburg ta kishin si udhëtim pushimesh”, – ishin fjalët e gjermanit.

“Situata nuk është e lehtë, por sërish është normale, – vazhdoi ai, – asnjëherë nuk ka qenë e lehtë për ne në Champions. E kujtoni që vjet duhej të fitonim në javën e fundit ndaj Napolit dhe nuk kishte presion më të madh se ai”. Një barazim ndaj Napolit vjet do të thoshte eleminim, por të kuqtë ia dolën dhe arritën pastaj të fitonim trofeun. Në Salcburg u duhet barazimi, që të jenë të sigurt për kualifikimin. Dueli në “Anfild” ishte i fortë, por Liverpuli nuk e pati ritmin e zakonshëm. Dris Mertens kaloi Napolin në epërsi, por mbrojtësi i qendrës, Dejan Lovren, barazoi në 65’. Liverpuli kryeson grupin me 10 pikë ndaj 9 të Napolit dhe 7 të Salcburgut, që fitoi 4-1 në fushën e Genkut.

Sfidanti.al