Shtylla, gjuajtje dhe spektakël, Reali pëlqehet edhe kur nuk fiton

Nëse luan mirë, suksesi do të vijë, kjo është aksioma e futbollit. Zinedin Zidan më në fund po bind se është një trajner karriere, edhe pse Reali i tij nuk arriti dot të fitonte ndaj Paris SG. Skuadra e madhe spanjolle u tregua zonjë në fushë përballë kampiones së Francës, duke mbajtur më shumë topin, por sidomos duke qenë më e rrjedhshme në sulm. Përfundoi 2-2, por Reali goditi tri herë shtyllat (ndaj 0 të francezëve), si dhe gjuajti 28 herë drejt portës (10 në kuadrat), kundrejt 13 gjuajtjeve të PSG-së me 4 në kuadrat.

Tifozët madrilenë mund të jenë të lumtur për një Real që thuhet se është ekipi më i mirë që pas largimit të Kristiano Ronaldos. Me Bejlin që po luan siç duhet, me Hazarin që më në fund po tregon veten, me Benzemanë, Valverden, Varanin, Ramosin, Karvahalin, Krosin, Marselon, Kasemiron e deri edhe me Iskon. Alternativat janë të shumta si Modriç (që është titullar, më shumë sesa alternativë), Joviç, Mendi apo Rodrigo. Me gjasë, Madridi do të luftojë edhe për fitoren e La Ligës, përveçse për të triumfuar sërish në Champions.

Sfidanti.al