Fitorja 3-1 ndaj Sociedadit nuk është se ishte me shifra që të ekzaltojnë, por media madrilene u ngrit peshë nga gëzimi për atë që i panë sytë. Konkluzioni i të gjithëve ishte që më në fund u shfaq ekipi i duhur. “Ky Madrid, po që imponon”, ishte titulli i “Markës” në komentin e ndeshjes. “Hazari më në fund është Hazari”, ishte titulli tjetër në shkrimin për notat e lojtarëve. Lumturi e madhe për Luka Modriçin, “Numri 10 tashmë është kthyer”. Nënvizimi tjetër ishte që “Zidani tashmë e ka sërish në dorë një ekip zotëri”.
I vetmi që u përjashtua në këtë “panoramë” ishte Garet Bejli, dhe jo sepse luajti keq. Ylli nga Uellsi thuajse shënoi një gol për antologji, por mbrëmja në “Bernabeu” ishte e keqe. Tifozët e pritën keq, e vërshëllyen dhe protestuan ndaj tij, pas banderolës që shfaqi me kombëtaren, ku ishte shkruar “Uellsi, golfi, Madridi, kjo është radha”.
Sfidanti.al