Flamengo kthen Kupën Libertadores në Brazil, mundet River Plejti!

Kampioni në fuqi nuk ia doli dhe Amerika e Jugut ka një fitues të ri. Kupa Libertadores u kthye në Brazil falë suksesit të Flamengos ndaj River Plejtit, me shifrat 2-1 në finalen e luajtur me një takim. Ndeshja e zhvilluar në “Estadio Monumental” të Limës në Peru, ishte mjaft e fortë dhe u duk se argjentinasit do të fitonin sërish. Riveri kryesoi 1-0 deri pranë fundit, por talenti Gabigol (Gabriel Barbosa) shënoi dy herë në minutat 89 e 92 për t’i dhënë suksesin ekipit të tij.

Kjo ishte Kupa e dytë Libertadores për Flamengon, pas asaj të vitit 1981, ndërsa River Plejti kërkonte kupën e 5-të në histori. Skuadra braziliane, me gjasë, do të jetë kundërshtare e Liverpulit në finalen e Kupës së Botës për Klubet që do të mbahet në Katar, ndonëse më parë do të luajë gjysmëfinalen. Klubet argjentinase vazhdojnë të dominojnë në Libertadores me 25 trofe gjithsej ndaj 19 të brazilianëve, dhe rekordmenë janë Independiente me 7 tituj e Boka Juniors me 6, ndërsa pasojnë Penjaroli i Uruguajit (5) dhe River Plejti (4), po aq sa Estudiantesi i Argjentinës. Ndër klubet e Brazilit, më shumë Libertadoresin e ka fituar Sao Paolo, tri herë.

Sfidanti.al