Si e kanë emrin “fantazmat” që ushqehen me koka trajnerësh te Tirana?

Kjo mund të quhet “bombë” për klubin bardheblu! Një trajner prishi ligjësinë e shkarkimit te Tirana, duke u larguar vetë, pa i dhënë mundësinë “fantazmave” që të bënin ritualin e tyre deri në fund. Jul Ahamtaj, trajneri që pak kohë më parë kishte thirrur në publik “ Tirana është për titull”, ia ka mbathur nga stoli, duke lënë pas më shumë dyshime sesa enigma.  Fjalët e fundit të Jul Ahmataj  nuk ishin  shëruese, as nuk godasin për vdekje shpirtin e keq që ka kapluar klubin, atë klub  që “forcohet për titull” kur ha kokat e stolit…

“Ne nuk duhet ta mbajmë me zor vendin e punës. Nuk mbahet kështu. Lojtarët japin maksimumin. Më mirë të marr unë nismën, të largohem, që gjërat të largohen. Ju thashë, që sapo vihet një trajner, mendohet si ta heqin”.Kur iku Ze Maria, u fol për një komplot për të cilin nuk kishte faj presidenti Halili, por ata ata që e rrethonin presidentin. Edhe tradhëtia e klubit dhe e futbollistëve ndaj  Ardi Memës, nuk mori dot emrin e merituar dhe diagnozën e vërtetë, sepse muzika nuk ndryshoi: I fajësoni të gjithë po deshët, vetëm presidentin Halili mos e trazoni! Është kaq i mirë dhe i pafajshëm, sa nuk ia prishë dot askujt..

Kush janë njerëzit e  presidentit Halili, këto hije të padukshme, që mbeten pa emra,  të cilët paskan  këtë ligësi kaq efikase, madje që punojnë si orë zvicerane, për të larguar trajnerët sistematikisht nga Tirana? Është  paranojë bardheblu apo një sistem i kalcifikuar tashmë. Pyetjet të shpojnë : Pse nuk dalin emrat nga trajnerët,  viktimat që humbasin stolin. Po futbollistët a bëjnë pjesë tek fantazmat? Po ky,  presidenti Halili, që trajtohet si ëngjëll i pafajshëm, pse nuk e tjetërson  oborrin e tij, por e ka më të lehtë kur ndërron trajnerët dhe futbollistët? Apo do të  bëhet gjithnjë e më aktuale  ajo filozofia e tifozit të lodhur bardheblu, i cili  vishet  si orakull kur thotë  se ..kam frikë se edhe kur të iki presidenti Halili, Tirana nuk do të mbetet më pa fantazma!

Sfidanti.al