Një Brazil pa “zhogo bonito”, yjet digjen nga pragmatisti Tite!

Në vitet 80-të, kur drejtonte një nga ekipet më të mëdhenj të historisë së futbollit, Tele Santana thuajse vrau veten dhe deklaroi se “ky sport nuk bën për mua”. Trajneri i sotëm i Brazilit, Tite, nuk e ka kaluar këtë “purgator emocional”, por ndoshta e ka imagjunuar, ndaj nuk dëshiron që ta provojë.

Njeriu që udhëhoqi fituesit e Kupës së Amerikës duket se po jep duart asaj që quhet “zhogo bonito”, pra lojës së bukur, që ka qenë edhe identiteti i futbollit brazilian që nga koha e Leonidasit, e pastaj e Ademirit, Pelesë, Zikos, Romarios, Ronaldos e Ronaldinjos. Tite po krijon një ekip të bazuar tek siguria në mesfushë, duke preferuar 36-vjeçarin Dani Alvesh që të pakësojë rreziqet, ndryshe nga të tillë si Roberto Karlos e Kafu që ishin shumë sulmues.

Në mesfushë, Tite ka zgjedhur dyshen Kasemiro (Real)-Artur (Barcelona), duke lënë rezervë Fabinjon e Liverpulit dhe Fernandinjon e Mançester Sitit. Kuptohet vetvetiu se çfarë mundësish për zgjedhje ka trajneri brazilian. Problem më vete me Roberto Firminon dhe Filip Kutinjon, që shpesh “dublohen” në skemat e tij. Lojtari i Bajernit, shpesh ka mbetur jashtë, por as sulmuesi i Liverpulit nuk është aq mirë sa në Premier Ligë. Me Nejmarin e dëmtuar, në sulm kanë luajtur Gabriel Zhezus apo Risharlison. Me kaq shumë talent, sërish Brazili arriti në 5 ndeshje pa fitore.

Sfidanti.al