Ç’mbahet mend nga Brazili, fitorja e Verstapenit apo dështimi “Ferrari”?

Interlagosi është një pistë e shenjtë në Formula 1, pasi aty pranë ka lindur dhe është varrosur Airton Sena. Në këtë asfalt u luajt një nga aktet më të mëdhenj të sezonit, por nëse për Maks Verstapenin ishte një dramë me fund të lumtur, për Ferrarin qëlloi të ishte një tragjedi. Sikur të mos mjaftonin dështimet e shumta, ja ku erdhi edhe një “asgjësim” reciprok i pilotëve të tij, që po luftonin për vendin e … katërt.

Dy makinat “kokëkuqe” dolën nga gara, ndërsa shefi Binoto uli kokën në tryezën e punës, ndërsa po ndiqte Çmimin e Madh të Brazilit. Më pas, ai i thirri Sebastian Fetelin dhe Sharl Lëklerkun, dhe bëri një mbledhje krize. Nuk dihet se çfarë u tha, por gjykohet se ai nuk ndau faje, dhe as nuk vendosi gjoba. Pas Interlagosit, Ferrari është përpara një dileme, t’i mbajë të dy pilotët, apo të largojë njërin prej tyre, me gjasë Fetelin? Përtej katastrofës italiane, në Interlagos pati një Çmim të Madh të çmendur, fituar nga Verstapeni, tregues që Red Bulli po rritet. Ljuis Hamilton e mbylli i treti, por kampioni i botës u zbrit në vend të 7-të, pas dënimit me minus 5 sekonda. Nuk është se i prishi ndonjë punë.

Sfidanti.al