Kristiano Ronaldo bën 99 gola me kombëtaren, Portugalia në Euro 2020

Ndeshja pati rëndësi për rezultatin, por edhe për yllin kryesor të skuadrës. Portugalia dhe Kristiano Ronaldo ishin me mision në duelin e fundit të eleminatoreve të Europianit në fushën e Luksemburgut, sfidë që e mbyllën me sukses, veçse pjesërisht. Ronaldo synonte të arrinte në kuotën e 100 golave me ekipin përfaqësues, dhe për këtë i duhej të realizonte dy herë, diçka që nuk arriti ta bënte.

Gjithsesi, superylli i Juventusit nuk mund të dilte nga fusha pa e tundur rrjetën, dhe këtë e bëri katër minuta para fundit. Kjo ishte rrjeta e 99-të e tij me fanelën “luzitane”, dhe shumë shpejt ai do të mbërrijë e kalojë njëqindën, për të synuar më pas rekordin botëror që mbahet nga ish-sulmuesi i Iranit, Ali Daei.

Portugalia fitoi 2-0, me golin e parë të realizuar nga Manuel Fernandez. Ky sukses bëri që skuadra e trajnerit Fernando Santos të kualifikohej për në finalet e Euro 2020-ës, pasi u ngjit në kuotën e 17 pikëve, duke mbajtur vendin e dytë në grup. Në vend të parë doli Ukraina me 20 pikë, pasi barazoi në sekondat e fundit ndaj Serbisë në Beograd, me shifrat 2-2.

Sfidanti.al