Kur Anglia vizitoi Tiranën në 2001, pritja ishte shumë e mirë, dhe gjithçka shkoi “fjollë” edhe pse lufta e 1997-ës ishte ende afër. Dy vjet para asaj ndeshjeje në “Qemal Stafa” (3-1), Mbretëria e Bashkuar kishte qenë promotore në ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, duke larguar prej aty forcat ushtarake dhe policore serbe. Sot, 20 vjet më vonë, kombëtarja e Anglisë është në Prishtinë për ndeshjen eleminatore të Europianit.
Një shtet si ai i Kosovës, me shumicë dërrmuese myslimane, nuk e pati aspak problem të bënte një pritje të jashtëzakonshme për “kaurët” nga Anglia, duke qenë tepër mirënjohës për atë që bëri në atë kohë qeveria e kryeministrit Toni Bler. Pa hyrë në hollësi historike për rolin e Toni Blerit në Irak në 2003, le të mbetemi tek Bleri i Kosovës, që për ne ishte shumë pozitiv.
“Mirësevini dhe respekt”, – shkruhet në banderolat në rrugët dhe baret e Prishtinës. Mediat angleze komentojnë se kombëtarja e tyre nuk e ka pasur askund një pritje të tillë, me tifozët që intervistohen nga mediat vendase (në foto), me shqiptarë të Kosovës që veshin fanela të dedikuara për këtë ndeshje, ndërsa qytetarët janë miqësorë dhe të dashur. Ndeshja në “Fadil Vokrri” nuk do të jetë një miqësore, edhe pse do të jetë e pastër. Kosova do të synojë një rezultat të madh, edhe pse nuk ka shpresë për të shkuar në Euro 2020.
Sfidanti.al