Ka luajtur në “Qemal Stafën” e vjetër dhe ka shënuar gol, por do të kishte dashur të kishte qenë edhe në “Arenën Air Albania”. Jo për të provuar stadiumin e ri pasi Karim Benzema ka luajtur në më të bukurit e botës, por për të veshur sërish fanelën e kombëtares së Francës. Ai e ka humbur statusin e tij si lojtar i ekipit përfaqësues që përpara Euro 2016, kur u përfshi në një skandal me ish-shokun e skuadrës, Matjë Valbuena, duke u kritikuar nga ish-kryeministri Manuel Vals dhe duke u pezulluar nga presidenti i Federatës, Lë Grë. Ky i fundit, u pyet përsëri për Benzemanë, në prag të ndeshjes ndaj Shqipërisë.
“Benzema është një lojtar i madh, shumë i talentuar, – tha ai, – ai po e tregon me Realin se është një nga më të mirët e botës, por karriera e tij me Francën ka përfunduar”. Kjo nuk u prit mirë nga 31-vjeçari që u përgjigj në rrjetet sociale. “Noel, mendoj se ti po ndërhyn në vendimet e trajnerit, – shkruajti ai, – dua që ta dish se vetëm unë mund ta mbyll karrierën time me kombëtaren. Nëse mendon se kam marrë fund, më lejo të luaj për një kombëtare tjetër të mundshme”. Në të vërtetë, FIFA nuk lejon që Benzema të luajë për një kombëtare tjetër, sepse ai ka luajtur ndeshje zyrtare me Francën.
Sfidanti.al