Nuk dihet a mund të arrihet një sukses më i madh se kaq, por as kjo nuk mjafton për të bindur plotësisht. Po i ndodh Anglisë që triumfoi 7-0 ndaj Malit të Zi në “Uembli”, por që sërish ra nën breshërinë e kritikave të analistëve të saj. Ishin Roi Kin, Eshli Koul dhe Li Dikson që kritikuan mbrojtjen e “tre luanëve” dhe paralajmëruan trajnerin Garet Sauthgejt që të marrë masa sa më shpejt. Ishte ndeshja numër 1 000 e Anglisë në histori dhe kapiteni Harri Kejn e nderoi duke shënuar 3 gola, por mbrojtja siç duket “futi ujë”.
“Nuk e di nëse Sauthgejti e ka idenë se cila është katërshja ideale e mbrojtjes për të, – tha Koul, – dhe ky është vërtet një problem. Mendoj se kjo do të ndikojë për keq tek Anglia, sepse në finalet e Europianit nuk do të luash me kundërshtarë kaq të dobët. Duhet përmirësuar loja në mbrojtje”. “Kjo ka ndodhur edhe më parë, jo vetëm sot, – tha Diksoni, – po ashtu, pati probleme në goditjet nga këndi”. Roi Kin, ish-kapiteni i Mançester Junajtidit (në foto), theksoi se “Anglia duhet të jetë vetëkritike, sepse ka mjaft mungesë vëmendjeje, përqëndrimi, nëse dëshiron të fitosh turne të mëdhenj, këto gabime nuk duhet të ndodhin”.
Sfidanti.al