“Sprint” për “metrat e fundit” që Arena Kombëtare të jetë gati!

Gara me kohën duket se po përfundon me sukses. Pas shtyrjeve të shumta, nuk pritet të ketë një tjetër të tillë, dhe Arena Kombëtare të jetë gati për duelin me Francën në 17 nëntor. Shqetësimi më i madh i ndërtuesve nuk kanë qenë punimet brenda, sesa jashtë stadiumit, dhe pikërisht kanalizimet dhe lidhjet e ujësjellësit e të energjisë elektrike.

Tashmë, ato janë kryer dhe po bëhet shtrimi i sheshit dhe rrugëve rreth e rrotull impiantit. Sipas informacionit në kompaninë që kryen punimet, sheshi dhe rrugët do të jenë të shtruara e të vijëzuara përfundimisht në datën 15 nëntor, dy ditë para ndeshjes. Në të njëjtën kohë, vazhdojnë lyerjet jashtë dhe brenda.

Burime në Federatën Shqiptare të Futbollit pohojnë se sforcimi ka qenë tepër i madh, dhe drejtuesit kanë qenë të impenjuar në kantier deri në orët e vona të mbrëmjes. Të kryesuar nga sekretari i përgjithshëm Shulku, ata kanë këmbëngulur për të përfunduar infrastrukturën për kamerat transmetuese, dhe për vendet e gazetarëve në tribunën VIP.

Lajmi i mirë është që fusha është në parametrat e duhur, pas trajtimit të fundit që iu bë, e në 10 nëntor do të luhet ndeshja e provës, Vllaznia-Apolonia, për femra. Në pritje të vizitës së presidentit të UEFA-s, Çeferin, duhet të krijohet edhe Muzeumi i Federatës, që do të jetë në hyrjën kryesore, tek fasada historike e stadiumit. Në Federatë deklarojnë se Muzeu do të jetë gati në 14 nëntor. Gjithsesi, nuk harrohet të shtohet, se gjithnjë do të mbeten gjëra pa u rregulluar, dhe mangesë mund të gjesh kurdoherë.

Sfidanti.al