Ku ka para arabe, atje gjen edhe Roberto Mançinin!

PSZH-ja duket se ka si synim që ta zëvendësojë trajnerin bask, Unai Emeri, dhe të sjellë trajnerin italian të lartpërmendur. Sikurse duket qartë, atje, ku ka para arabe, atje gjen edhe Roberto Mançinin! Ai e ka drejtuar Mançester Sitin, në fillim të mandatit të pasanikëve arabë që, atëkohë, morën përsipër klubin, ndërkohë që, tani, do të mund të angazhohet në projektin e dytë të madh futbollistik, të hartuar mbi bazën e petrodollarëve të Lindjes së Mesme. Në fakt, Emeri, tanimë, po shkel mbi një “akull të hollë” në klubin e “Parkut të princave”, ndërkohë që ka shkuar atje, para jo shumë muajsh. Ky trajner u soll si një trajner yll, pas rezultateve të shkëlqyera në Sevilje, por, sidoqoftë, në PSZH, puna atij nuk po i shkon aspak mirë.

Ky ekip i shtrenjtë i Parisit që  mbylli në vendin e dytë pjesëmarrjen e tij në grupin e vet në Ligën e Kampioneve, nuk është më ekip dominues në kampionatin francez, ku ndodhet, në klasifikim, pas Nicës dhe Monakos, ndërsa, kohët e fundit, pësoi një nga humbjet më të rënda, gjatë viteve të fundit, kur atë e “shkeli me këmbë” Monpelie. Kjo PSZH, nën drejtimin e Unai Emerit, duket e cenueshme dhe e pasigurt nga ajo që, dikur, e drejtonte Loran Blanku. Kurse synimi i pronarëve të klubit ishte që ai (Emeri) ta çonte më përpara ekipin sesa Blanku.

Kështu që, ka shumë mundësi, që shërbimet e Unait të refuzohen nga pronari nevrik i PSZH-së, Naser Al-Kelaifi, që ka investuar para të mëdha në këtë klub, por që nuk ka arritur as në gjysmëfinale të Ligës së Kampioneve, gjatë këtyre viteve të fundit. Gazeta lokale “Parizien” shkruante, dje, se Emeri ndodhet nën shenjën “urgjent” që ta rregullojë situatën në këtë klub, sepse, përndryshe, atij do t’i trgohet dalja “Exit”.

Sfidanti.al