Prag Partizani-Kukësi, kampionët “e gjymtuar” duan fitoren dhe shkëputjen!

Mund të quhet ndeshja e së vërtetës, apo edhe ajo e revanshit. Partizani pret Kukësin, rreth dy muaj pas humbjes së pësuar në javën e parë të Superligës, veçse dëshira e kampionëve për të fituar do të testohet fort nga mungesat. Kryeqytetasit mund të kenë nga 3 deri në 5 lojtarë mangut, për shkak pezullimi, dëmtimesh apo sëmundjesh.

Mesfusha do ta ndjejë më shumë pasi Romero është i pezulluar, ndërsa Bruno Telushi mbetet në dyshim pas lëndimit që pati ndaj Skënderbeut në mesjavë.  Dëmtim edhe për Kristi Koten, që mund të quhej alternativë, në mënyrë që trajneri Lerda të mos ndryshonte skemën e tij të re, 4-3-3. Sulmuesi i rëndësishëm Solomon gjithashtu mund të mungojë për shkak dëmtimi, ndërsa shkodrani Hakaj është i sëmurë.

Gjithsesi, Lerda foli i qetë përpara ndeshjes së sotme të orës 18:00. “Mendoj se nuk kemi presion për Kukësin, – u shpreh italiani, – Pak rëndësi ka kush luan apo kush drejton te Partizani, rëndësi ka që të ruajë ekuilibrat pasi dihen objektivat e klubit. Jemi përgatitur për këtë takim, dhe mendoj se do e zhvillojmë këtë ndeshje me qetësi të plotë, siç kemi bërë edhe në ndeshjet e kaluara”.

Kukësi ndodhet ndoshta më shumë nën presion sesa të kuqtë. Barazimi në Korçë ndaj Skënderbeut thuajse u cilësua një humbje, pasi nuk u pa loja që pretendohet nga nënkampionët. Trajneri Shpëtim Duro, falë edhe përvojës së tij të gjatë në Superligë, përpiqet të mos alarmohet. Ai thekson se synohet fitorja, por edhe barazimi në fushën e Partizanit nuk do të ishte keq, pasi bëhet fjalë për rivalin më të fortë në duelin për titull.

Kukësi ende ka probleme nga dëmtimet e Mustës dhe Etemit, ndërsa mbrojtja nuk mund të quhet aq e sigurt sa më parë. Gjithsesi, me lojtarë të shkëlqyer ofensivë si Abazaj, Shkurtaj, Gavazaj apo Rroca, skuadra veriore mbetet tepër e rrezikshme. Në renditje, Partizani ka 17 pikë, baraz me ekipet e tjerë të kreut, ndërsa Kukësi ka tri pikë më pak.

Sfidanti.al