Paraqitje të mira, gola dhe vlerësime. E tillë fundjava e lojtarëve shqiptarë në Europë, ku spikatën në Itali, Holandë dhe Kroaci. Kastriot Dermaku ishte për të dytën herë radhazi titullar për Parmën, këtë herë në barazimin 2-2 në fushën e Interit, dhe mbrojtësit kuqezi i ndodhën shumë gjëra. Ai u vlerësua pozitivisht nga mediat, ndërsa bllokoi Romelu Lukakun, por edhe devijoi pa fat topin për golin e parë të vendasve.
“Eurosport” nota 6: Bëri ndonjë gabim në pjesën e dytë, por nuk lejoi golin e tretë të Martinezit. Handanoviç i mohoi gëzimin e golit të parë në Serinë A! “Il Korriere delo Sport” nota 6: Protagonist në golin e parë, fillimisht largon mirë, pastaj devijon. i pafat në golin e dytë, por doli më i fortë se pafatësia! “La Gazeta delo Sport” nota 6.5: Devijoi topin që shkaktoi golin e parë, por ishte më shumë i pafat sesa fajtor. Më tej, mbrojtësi shqiptar ishte i rëndësishëm, duke ndaluar shumë rreziqe!
Dermaku, pra, mund të kishte shënuar, por u desh një pritje e madhe e portierit Handanoviç që ta ndalonte në pjesën e parë.
Në Kroaci, ndërkaq, ishte një e diel e veçantë për Lokomotivën e Zagrebit. Plot pesë lojtarë shqiptarë ishin në fushë në fitoren 2-0 në fushën e Istrës. Titullarë ishin Myrto Uzuni, lojtari i Kosovës, Lirim Kastrati, mbrojtësi Mersinaj dhe mesfushori Çokaj. Pas pushimit, në minutën e 84-ët, u aktivizua lojtari i kombëtareve të moshave, Indrit Tuci, i cili shënoi golin e dytë për Lokomotivën.
Në Holandë, ndërkaq kishte shënuar një ditë më parë lojtari i ri i kombëtares shqiptare, Lindon Selahi. Mesfushori 20-vjeçar realizoi në suksesin 2-0 ndaj Emenit në Superligën holandeze, vetëm pak ditë pas debutimit për Shqipërinë.
Sfidanti.al