Futboll i kohëve të vjetra, Granada në krye të La Ligës në Spanjës

E kemi të qartë se kjo ndodhi sepse Barcelona dhe Reali nuk e luajtën El Klasikon, por sërish është diçka shumë e madhe. Një skuadër me vlerë tregu vetëm 35 milionë euro nuk mund të jetë në krye të njërës nga pesë ligat e mëdha të Europës, por ja që kjo ndodhi. Quhet Granada, klubi modest që u ngjit këtë sezon në elitë, dhe që mban kreun e renditjes pas ndeshjeve të javës së 10-të.

Me të drejtë gazetat spanjolle e quajnë “mrekullia”, ndërsa ne po e vlerësojmë si futboll i kohëve të vjetra, tronditje që sot ndodhin vetëm në kompeticione me eleminim direkt si Kupa e Anglisë apo Kupa e Gjermanisë. U desh të kalonin 46 vjet që Granada të provonte sërish majën e renditjes së la Ligës.

Granada u përgatit për këtë mrekulli duke shpenzuar vetëm 10 milionë euro në verë, për të marrë disa lojtarë, nga të cilët Maçis dhe Domingos Duarte ishin më të shtrenjtët me vlerë 3 milionë euro. Një projekt shumë i mirë, ku përzien rinia dhe përvoja. Edhe pse Granada e di se nuk do ta fitojë titullin, sërish kjo është për t’u shënuar në histori.

Sfidanti.al