Për Mbapenë e Ikardin, nuk ka klasike Paris SG-Marsejë!

“PSG atomizoi OM-në”, titullonte “L’Ekip”. “Klasikja PSG-OM, Mbape celebron golat e shënuar si një bebe që qan”, komentoi “Lë Parizien”. Ajo që ndodhi në “Park dë Prinses” ishte vërtet si një shpërthim eksplozivi, dhe dyshja Mbape-Ikardi bëri pluhur e hi kundërshtarin nga Jugu, që nuk mund të rivalizonte me kampionët. Përfundo 4-0, dhe PSG nisi shkëputjen në Ligën e Parë të Francës, edhe pse i ka pësuar dy humbje deri tani. Skuadra e trajnerit Tuhel ka 27 pikë ndaj 19 të Nantës, ndërsa Marseja apo Lioni janë shumë më prapa.

Shqetësimet kryesore të Tuhelit dhe të presidentit Al Helaifi, janë pikërisht fati i yjeve si Kilian Mbape apo Nejmar. i pari kërkohet nga Reali i Madridit, dhe i dyti ende mund të synohet nga Barcelona. Vlerësimi për Mbapenë ishte i tillë që ai duket shumë më lart sesa Tieri Henri apo Trezege, kur ishin në moshën e tij. Mbape ka shënuar 92 gola në 156 ndeshje për PSG-në, ndërsa në moshën 20-vjeçare Henri kishte 27 gola në 120 ndeshje dhe Trezege arrinte në 24 gola në 50 takime. Kampioni i botës cilësohet si një personalitet edhe në fushë, edhe jashtë saj, ndërsa Reali shpreson ta marrë sepse ai ka marrëdhënie jo shumë të mira me trajnerin Tuhel.

Sfidanti.al