Atletiko e Madridit është në momentin më të keq të saj që kur në stol është ulur Diego Pablo Simeone. Në pesë vjet të “Çolizmit”, kurrë më parë ekipi bardhekuq nuk ka provuar një situatë kaq delikate sa kjo, pas disfatës në “El Madrigal”. është një paradoks, në të vërtetë, pasi në Ligën e Kampionëve “Atleti” doli e para në grup duke lënë në vend të dytë jo më pak se vetë Bajernin e Mynihut. E keqja qendron në kampionat, sidomos pas 0-3 pësuar në fushën e Vijarrealit, një rezultat që rri “krah për krah” me disfatën e rëndë, po 0-3, në derbin ndaj Realit, madje brenda në “Visente Kalderon”. Gazeta “Marka” bën një analizë dhe jep arsyet.
1. Rënie e rendimentit të disa prej lojtarëve, rënie nga e cila nuk përjashtohet thuajse askush, dhe ku përfshihen Saul, Huanfran, Gabi, Korrea, Tiago apo Koke. 2. “Lamtumirë” mbrojtje e pathyeshme. Skemat e Simeones kishin krijuar një ekip që nuk pësonte gol lehtë, ndërsa tani në prapavijë Atletiko duket e dobët. Gimenez dhe Saviç jepen si përgjegjësit kryesorë, ndërsa Godin mbetet “shtyllë”, ndonëse edhe ai ka gabuar. 3. Goditjet standarde janë kthyer në makth, jo se pësohen gola, por sepse nuk shënohen. Më parë, Atletiko ishte shumë e rrezikshme në korne dhe goditje dënimi. 4. Gabimet e vetë Simeones, që eksperimentoi ndaj Realit, por e pësoi keq. 5. Mungon një “9” e vërtetë. Largimi i Diego Kostës nuk u kompensua me afrimin e Gameiros, ndërsa Torres është “hija” e vetvetes. 6. Grizman është i shpërfytyruar, dhe mendon më shumë për të krijuar për shokët, sesa për të shënuar vetë.
Sfidanti.al