Ndeshjet luhen 90 minuta, madje më shumë. Partizani i Franko Lerdës duket se po mëson ta bëjë, dhe ia doli në Shkodër në “frymën e fundit”. U desh një shkodran që goditi, me dhimbje, ekipin e qytetit të tij të lindjes, u desh edhe një lojtar stoli që shpesh ka nerva përveç talentit, por gjithsesi fitorja është fitore. Një 3-1 ndaj Vllaznisë në “Loro Boriçi” do të thotë se Partizani është tani vetëm 1 pikë larg vendit të parë, atij pozicioni në të cilin mbylli Superligën sezonin e kaluar, duke dalë kampion.
Eraldo Çinari realizoi në minutën e 92-të dhe Jasir Asani siguroi fitoren pas afërsisht 120 sekondave, ndërsa ndeshja ishte e fortë, në prani të mijëra tifozëve shkodranë. Të kuqtë treguan qetësi në një atmosferë të vështirë, dhe përballë një ekipi të vendosur, por që duket se nuk e përballoi duelin emocionalisht deri në fund. Këtë theksoi edhe trajneri boshnjak, Jonuz. “Emocionohemi lehtë, në Shkodër e kemi problem që të japim maksimumin, – u shpreh ai, – ndërsa jashtë fushe kemi qenë më mirë”. Kjo ishte humbja e dytë në Shkodër për Vllazninë, pas asaj me Tiranën. “E merituam fitoren sepse e dominuam kundërshtarin, sidomos pas pushimit, – ishte analiza e trajnerit të kuq, Lerda, – përsa i përket mbrojtjes, do të luajmë me 3 apo 4 mbrojtës, sipas kundërshtarëve dhe mundësive”.
Në ndeshjet e tjera të Superligës, bie në sy fitorja e Tiranës ndaj Laçit në “Selman Stërmasi”, me shifrat 2-1. Dunga dhe Kale shënuan për vendasit, ndërsa Nuabueze barazoi përkohësisht për kurbinasit. Trajneri Mema u shpreh i kënaqur me suksesin, duke theksuar se “ishim nën presion për rezultatin, ndaj kishte rëndësi fitorja, Dunga e ka merituar vendin e titullarit”. Këtë herë në stol ishte Ngo.
Në Korçë, ndërkaq, Skënderbeu jo vetëm barazoi 0-0 me Kukësin, por edhe luajti më mirë. Trajneri Ilir Daja u shpreh i lumtur që ekipi i tij luftoi mirë, duke thënë se “m’u kujtua Skënderbeu i dy viteve më parë”. Në renditje, Teuta kryeson me 15 pikë, Tirana e Partizani kanë nga 14, Bylis e Skënderbeu nga 13, Vllaznia 12 e Kukësi 11 pikë.
Sfidanti.al