Super Milik, Imobile e Muriel, por fitoren e merr vetëm Napoli

Seria A ka disa sulmues të shkëlqyer, dhe tri prej tyre shkëlqyen këtë të shtunë. Ata ishin Çiro Imobile, Arkadiush Milik dhe Luis Muriel, që shënuan nga dy gola, por skuadrat e tyre nuk fituan që të dyja. Lacio, madje shpëtoi mirë nga humbja edhe pse po luante në “Olimpiko” ndaj Atalantës. Dueli i çmendur në kryeqytet përfundoi 3-3, me miqtë nga Bergamo që ishin në avantazh deri në 3-0, dhe me lacialët që reaguan në pjesën e dytë. Muriel realizoi në minutat 23 e 37, ndërsa Imobile shfrytëzoi dy penallti në 69’ e 92’.

“Imobile është simulant, – akuzoi trajneri i Atalantës, Gasperini, – ai hidhet shumë lehtë, dhe penalltitë nuk ishin aspak. Ishte i njëjti gjykim si në finalen e Kupës”. Inzagi i Lacios iu përgjigj se “penalltitë ishin të pastra, Gasperini ankohet shumë”.

Arkadiush Milik ishte vendimtar, ndërkaq, për Napolin, me skuadrën e Karlo Ançelotit që fitoi 2-0 ndaj Veronës. Polaku realizoi në minutat 37 e 67’, ndërsa në fushë ishin dy shqiptarët e Helasit, Kumbulla dhe Rrahmani, të cilët nuk mundën të shmangnin golat. Hysaj nuk ishte as në stol për Napolin, për shkak dëmtimi. Imobile kryeson renditjen e shënuesve me 9 gola.

Sfidanti.al