Nëse titulli europian do të jepej për paraqitjet në grupe, atë do të fitonte patjetër skuadra e mbiquajtur e “djajve të kuq”. Belgjika u bë e para e kualifikuar për në finalet e Euro 2020-ës duke arritur fitoren e 7-të radhazi, në 7 ndeshje, me fitoren 9-0 ndaj San Marinos modeste, dhe me golaverazhin e shkëlqyer 28-1. Diferenca me Qipron e vendit të tretë është 11 pikë, më shumë sesa 9 pikët e mbetura ende në lojë.
Suksesi 9-0 barazoi fitoren më të thellë belge në histori, ndërsa Romelu Lukaku ishte më i miri në fushë (për golat), duke shënuar dy herë, e duke kaluar shifrën e 50 rrjetave me ekipin kombëtar. Trajneri Roberto Martinez mund të ndihet i kënaqur, ndonëse me formatin e sotëm, kualifikimi për në Europian zakonisht është një formalitet për ekipe si Belgjika. Pas paraqitjes së shkëlqyer në Botëror, ku mori medaljet e bronzit, skuadra e Martinezit pritet të pretendojë fitoren e titullit europian.
Sfidanti.al