Kur Pema e Vitit të Ri e arbitrave zbukurohet me ..penallti që ndriçojnë

Në fillim thonin se është anektodë gazmore, por me kalimin e kohës duket se është një e vërtetë e hidhur. Sa herë që afron Viti i Ri,  për zbukurimin e pemës së kampionatit më shumë nga të gjithë mendojnë arbitrat. Dhe në pemë nuk varen lodra me ngjyra dhe me drita të bukura, por janë “lodra mëkati” si penallti të padhëna, gola që nuk arrijnë të lindin dhe “vrasje me porosi”, ku arma ka zhurmën e bilibilit. Ky sezon që u bekua sikur do të ishte kampionati më i ndershëm për shumë arsye, nuk është gjë tjetër, veçse skenë  e përvetesuar nga bëmat e arbitrave. Askush nuk mund t’i ndalë, edhe vetë dora që i komandon si manekinë,  ngaqë, vjen një ditë, dhe sistemi bëhet më i fortë se vetë shpikësi.

Si për të gjetur një lodër speciale për “Pemën e mëkateve”,  mund të shërbejë edhe një prapaskenë në ndeshjen Teuta-Skënderbeu, tani së fundi. Tamam-tamam jemi tek rasti i dyshimtë për penallti i Salihit që merr goditje në fytyrë  nga portieri. Në aparatin që komunikojnë arbitrat është dëgjuar zëri i anësorit: “ Penallti, është penallti”. Kryesori  Jemini e ka shpërfillur ndihmësin e tij me frazën: “ E kam unë, e kam unë”. Kodi është i qartë dhe teksti zbulon se ka një radhë në futbollin tonë, ku nje herë vë shishen e qumështit kryesori, nje herë anësori.  Është ajo që thuhet me banalitet se “arbitrat sot ta japin dhe nesër ta fusin”. Dhe Skënderbeu nuk mund ta kundërshtojë dot këtë hesap, sepse në Shkodër mori një dhuratë të çmuar nga 11- metërshi, edhe pse u zhvlerësua nga Salihi,  kurse në Durrës, pikërisht Salihi u shfaq në rolin e viktimës dhe zëri i arbitrit “ e kam unë, e kam unë”..ishte goli i radhës.

G.Sinemati