Bajerni i Mynihut nuk priti datën 25 dhjetor për të festuar Krishtlindjet. Si një punëtor i palodhur që realizon normat përpara afatit, klubi bavarez e organizoi në mbrëmjen e së shtunës, ceremoninë e përvitshme. Nuk munguan krerët si Uli Hënes apo Karl-Hajnc Rumenige, as trajneri Karlo Ançeloti, si dhe lojtarët me gratë dhe të dashurat. Ndër ta, më i lumturi ishte Tomas Myler (në foto), i cili në suksesin ndaj Volfsburgut, shënoi golin e parë në Bundesligë pas 999 minutash, pra pas 11 ndeshjeve.
“Ne jemi në krye dhe kjo e bën më të bukur festën, – tha ai, – kemi luajtur shumë mirë në ndeshjet e fundit, dhe duam të mbyllim me sukses edhe dy ndeshjet që na mbeten këtë vit, për të qenë kryesues kur të marrim pushimet”. Në festë, një rol të veçantë për të ndezur atmosferën luajti edhe katalanasit Tiago Alkantara, me fantazinë e tij latine.
Sfidanti.al