Gonzalo Higuain feston ditëlindjen me dy golat ndaj Torinos!

Nuk ka mënyrë më të mirë për të festuar ditëlindjen nga një sulmues, sesa duke shënuar gola. Gonzalo Higuain e bëri këtë madje në një nga ndeshjet më të ndjera për tifozët juventinë, në derbin ndaj Torinos. Edhe pse Andrea Beloti kaloi vendasit në epërsi në stadiumin “Olimpiko”, sërish sulmuesi argjentinas ishte i vendosur që dita e shënuar të mos i prishej. Pas disa kritikave në adresë të tij, ja ku erdhën edhe dy gola shpejt e shpejt, që realizuan përmbysjen. Më pas, Miralem Pjaniç shënoi edhe të tretin, ndërsa kroati Mario Manxhukiç mund të bënte pushim të paktën një herë të vetme. Me suksesin në Ligën e Kampionëve, ku doli në vend të parë në grup, dhe me vendin e parë të garantuar në Serinë A, deri në fund të vitit, skuadra e Masimiliano Alegrit po e mbyll më së miri 2016-ën, dhe është shumë optimiste për gjysmën e dytë të sezonit.
“Unë jam këtu për të shënuar gola dhe për të fituar tituj, – tha Higuain pas ndeshjes, – është normale që të ndihmoj ekipin me golat e mi, ndërsa shpresoj të kemi triumfe të mëdhenj në fund të edicionit. Juventusi është një skuadër e madhe dhe konkurrenca e fortë në sulm na bën edhe më të mirë”.

Sfidanti.al