Një kartolinë nga “xhaxhi” Farruku,  rebelit që i morën stolin, por jo fjalën

Thonin me humor për ish-trajnerin e Kombëtares, Brigell, sikur ishte gjermani i fundit që kishte mbetur në anët tona. Me këtë peshore, edhe Farruk Sejdini, është dinamoviti i fundit që ka mbetur, ose siç thuhet zakonisht “mohikani i fundit”. I ftuar në emisionin “Procesi Sportiv”, “Xhaxhi”  gjithnjë ka një mënyrë për të lënë gjurmë në ekran, sepse logjika e tij  shkon përtej kufirit të lejuar për kolegët e familjes së futbollit.  Edhe kur kërkohet një emër për Plakun e Vitit të Ri në studion e “Procesit”, “xhaxhi”  nuk humbet rastin pa u dërguar kartolinën e tij atyre që komandojnë zyrat e topit, kur e pagëzon: “ Armandis”.  Një emër i sajuar me përkëdheli dhe me shpoti, që bën rezonancë deri sipër, në shenjë proteste për lirinë e munguar për sportin që maskohet sikur është garë demokratike.

Thonë se në vendet ku futbolli është në krizë dhe mabhet gjallë me shiringa  lavdie, ajo që e pëson e para është fjala e lirë. Dhe kjo është arma e fundit e Sejdinit, pasi e kanë ndarë nga dashuria e përjetshme, stoli i trajnerit. Kur është pyetur për iamzhin e luhatur të klubit të Tiranës, Sejdini ka lëshuar një batutë me spec: “ Tirana krenohet me Akademinë e futbollit, por në fushë nuk ka futbollistë të rinj, por nga Afrika.  Ka arritur puna aty sa Tirana nuk ka nevojë për jelekë kur ndahet në dy ekipe, ngaqë futbollistët mund të ndahen nga ngjyra..”Një frazë që mund të qortohet për racizëm, dhe nuk do të ishte pa vend, ndërkohë, që vlen të kujtohet se Akademitë tona, më shumë mbledhin para për të “blerë” lojtarë të huaj, sesa të shpresosh te zbulimi i talenteve.  Tek Tirana është edhe modeli më  kuptimplotë: djali i presidentit Halili, edhe pse lëshon hijen e mbarë të një futbollisti me të ardhme, nuk gjen dot hapësirë, e jo më nje vend, në ekipin e babit, ku shpëtimi pritet vetëm nga futbollistët e huaj.

Sfidanti.al