Mkitarian bën të lumtur dhe trondit tifozët e Man. Junajtidit!

Henrik Mkitarian është heroi i tifozëve të Mançester Junajtidit këto ditë, pasi shënoi dy gola në dy fitore të rëndësishme. Suksesi në Ligën e Europës në fushën e Zorias në Ukrainë, u shoqërua me fitoren në “Old Traford kundër Totenhemit, vendosur nga një gol i vetëm i sulmuesit armen. Veçse, në të njëjtën ndeshje, Mkitarian u detyrua të dilte jashtë me barrelë, pasi shënoi të parin gol personal në Premier Ligë. Tifozët u shqetësuan shumë pasi dëmtimi erdhi pikërisht në prag të një periudhe të ngjeshur me ndeshje në Angli.
Zhoze Murinjo, gjithsesi, u përpoq t’i qetësonte njerëzit. “Kthimi i Henrikut varet nga vetë ai, flasim për anatominë, fiziologjinë, karakterin, – u shpreh trajneri, – gjithsesi, nuk mendoj se është dëmtim i rëndë. Nuk besoj se Mkitarian do të mungojë më shumë se dy ndeshje”. Gjasat janë që armeni të humbasë udhëtimet në fushat e Kristal Palasit dhe Uest Bromit në 14 dhe 17 dhjetor, por të jetë gati për periudhën e ndeshjeve festive, për Krishtlindje dhe Vit të Ri.

Sfidanti.al