Entoni Xhoshua është shpresa e re e boksit britanik, pse jo edhe e atij botëror (të paktën perëndimor). Pas një dominimi të gjatë të vëllezërve Kliçko, kampioni i peshave të rënda ka rastin të hapë një epokë të re në përballjen që do të ketë me ukrainasin në vitin 2017. Xhoshua e lajmëroi sfidën me Vladimir Kliçkon, pasi mbrojti lehtësisht titullin e tij në përballjen me sfidantin Erik Molina në ringun e Mançesterit. Vetë Kliçko zbriti në ring për të bërë së bashku lajmërimin e sfidës së madhe që pritet të zhvillohet në 27 prill të vitit të ardhshëm në stadiumin “Uembli” të Londrës. Pritet që 90 000 bileta të jenë të shitura për duelin.
Xhoshua ka shansin të fitojë ndaj një kundërshtari të madh, që sot është 40 vjeç dhe që ka qenë gjithnjë një superfuqi e ringut, së bashku me vëllanë e tij, Vitali Kliçkon. Gjithsesi, humbja e Vladimirit me britanikun tjetër, Tajson Fjuri, i jep shanse jo të pakta Xhoshuas 27-vjeçar. Do të jetë një përballje për unifikim të titujve, pasi të dy boksierët janë kampionë të botës në federata të ndryshme. Britania shpreson të ketë Lenoks Ljuisin e ardhshëm.
Sfidanti.al