Serg Gnabri ka fituar Bundesligën e Kupën, tani do Championsin

Jeta nuk ka qenë gjithnjë e lehtë për lojtarin e sotëm të kombëtares gjermane. Serg Gnabri u përpoq tek Arsenali, por nuk e zuri dot vendin e tij, ndërsa më pas eci me hapa të mëdhenj, derisa u bë titullar tek Bajerni. Në 2014, në moshën 19-vjeçare, ai luajti për Arsenalin në Kupën e Anglisë ndaj Totenhemit dhe fitoi. “Shpresoj që kjo të ndodhë përsëri, – tha sot Gnabri në prag të duelit të Championsit ndaj Totenhemit në Mynih, – unë e di se çfarë do të thotë t’i luash këto ndeshje”.

Që nga Shtutgarti e Arsenali, 24-vjeçari kaloi tek Uest Bromi, por ringjallja do të vinte në Bundesligë. Me Verderin, ai luajti 27 ndeshje dhe shënoi 11 gola. Pas një viti, Bajerni e mori për 8 milionë euro, dhe Gnabri shënoi 10 herë në 22 ndeshje Bundeslige që iu dha mundësi të luante. Në Bavari, ai ka fituar titullin dhe Kupën e Gjermanisë, por ëndrra e tij është Championsi. “Para se të vija unë, Bajerni arriti gjithnjë në gjysmëfinale, – shprehet ai, – luajti më mirë se kundërshtarët, por nuk u kualifikua për në finale. Vjet, ne kishim ekip shumë të ri, por këtë vit kanë ardhur përforcime si Kutinjo, Perishiç, Lukas Hernandez apo Pavar. Këtë vit ne jemi gati”.

Sfidanti.al