Lëlkerk dhe sekreti i Mercedesit: Më e shpejtë në garë se në prova!

Pati gabime, mungesë fati dhe konflikt të brendshëm, por në fund tek Ferrari kanë edhe një kuriozitet. Sharl Lëklerk e tha pas gare se “Mercedesi vazhdon të jetë shumë më e shpejtë në garë sesa në provat zyrtare, dhe duhet të kuptojmë se përse ndodh kjo”. Që Mercedesi ishte afër makinës italiane kjo u duk qartë gjatë Çmimit të Madh të Rusisë në Soçi, kur Feteli dhe Lëklerku nuk arritën t’i shkëputeshin Hamiltonit, madje as Botasit.

Gjithçka mori për ters kur Fetel refuzoi dy herë urdhërat e skuadrës për t’i hapur rrugë Lëklerkut, dhe kur vetë njëvendëshja e gjermanit pësoi defekt, duke sjellë në pistë makinën e sigurisë. Në atë moment, Hamilton ndërroi gomat duke u treguar i shkathët e duke u vendosur në pozita për të fituar. Më pas, Lëklerku nuk kaloi dot as Botasin, dhe nuk iu afrua dot kampionit të botës.

“Duhet të flasim pak me njëri-tjetrin në skuadër, – deklaroi piloti nga Montekarlo, i pakënaqur që Feteli nuk zbatoi urdhërat, – kur hyri makina e sigurisë, vendi i tretë ishte maksimumi që mund të arrija”. Hamilton është shumë pranë titullit të gjashtë botëror, pasi kryeson renditjen e Formula 1 me 322 pikë, ndaj 249 të Botasit, 215 të Lëklerkut, 212 të Verstapenit e 194 të Fetelit.

Sfidanti.al