Shqiptarët dhe votimi i FIFA-s; Mavraj, Reja, Ujkani, me Shalandin që gjeti saktë!

Votat u dhanë edhe nga katër përfaqësues të shqiptarëve. Dy trajnerë dhe dy kapitenë skuadrash ndikuan në përzgjedhjen e lojtarit të vitit nga FIFA, dhe këta ishin të Shqipërisë e të Kosovës. Kapiteni i kombëtares shqiptare, një djalë nga Kosova, Mërgim Mavraj, ia dha vendin e parë Kristiano Ronaldos, duke e vendosur kapitenin e Juventusit përpara dyshes së Liverpulit, Sadio Mane e Mohamed Salah.

Trajneri i tij, italiani Edi Reja, zgjodhi pikërisht Salahun, duke e vlerësuar yllin egjiptian si më të mirin për vitin, pasi ndihmoi ekipin e tij të fitonte Championsin. Njeriu i stolit plotësoi podiumin me Mesin dhe mesfushorin e Barcelonës, Frenki De Jong.

Te Kosova, kapiteni Samir Ujkani mendoi se numri 1 në botë duhet të jetë një mbrojtës. Portieri veteran përzgjodhi Virgil Van Dajkun, liderin difensiv të Liverpulit, kampion të Europës, ndërsa pas tij renditi Salahun e Ronaldon.

Njeriu që gjeti saktë fituesin për këtë sezon ishte trajneri i Kosovës, Bernar Shaland. Tekniku zviceran me përvojë vendosi të parin pikërisht Lionel Mesin, të ndjekur nga Van Dajk dhe mbrojtësi i Holandës e i Juventusit, Matijs De Ligt.

Mërgim Mavraj: Kristiano Ronaldo, Sadio Mane, Mohamed Salah

Edoardo Reja: Mohamed Salah, Lionel Mesi, Frenki De Jong

Samir Ujkani: Virgil Van Dajk, Mohamed Salah, Kristiano Ronaldo

Bernar Shaland: Lionel Mesi, Virgil Van Dajk, Matijs De Ligt

Sfidanti.al