Elseid Hysaj-Napoli, “bashkëjetesa” do të vazhdojë nga … e keqja!

Gjatë verës u provua gjithçka, por pa sukses. Elseid Hysaj nuk mundi të largohej nga Napoli, edhe pse tashmë nuk ndihet aty si në shtëpinë e tij, siç ndodhte në kohën kur trajner ishte Mauricio Sarri. Klubi i Italisë së Jugut e mbajti duke e quajtur të rëndësishëm, dhe tani palët janë pranë një marrëveshjeje të re.

Mediat britanike njoftojnë se Hysaj do të nënshkruajë kontratë të re në “San Paolo”, duke u prishur planet disa klubeve të Premier Ligës si Çelsit e Totenhemit. Kontrata e tanishme e mbrojtësit të djathtë vlen deri në 2021, me një rrogë që i afrohet 2 milionë eurove në sezon, dhe me një klauzolë transferimi prej 50 milionë eurosh. Kërkesat e larta të presidentit De Laurentis bënë që të dështonin bisedimet me Valencian, ndërsa besohet se edhe Juventusi ishte i interesuar për shqiptarin, sidomos pas uljes në stol të Sarrit.

Hysaj ka luajtur plot 169 ndeshje në Napoli, duke qenë titullar prej vitesh, por kohët e fundit, është aktivizuar shumë pak nga trajneri Karlo Ançeloti. Në Serinë A këtë sezon, ai ka qenë vetëm 4 minuta në fushë në ndeshjen ndaj Fiorentinës, ndërsa nuk luajti në Champions kundër Liverpulit.

Gjithsesi, kapiteni i Shqipërisë po kalon formë të mirë, siç e tregoi në ndeshjen ndaj Islandës në eleminatoret e Euro 2020-ës, dhe është i vendosur për t’ia dalë mbanë që të kthehet në formacionin e skuadrës së Serisë A.

Sfidanti.al