Shqiptarët “bombardojnë” Europën, gola Cikalleshi, Memushaj, Çekiçi e Manaj!

Nuk kanë qenë gjithnjë të sukseshëm para portës, por këtë herë ndodhi ndryshe. Futbollistët shqiptarë i rreshtuan rrjetat e tyre këtë fundjavë, në Turqi, Slloveni dhe Spanjë. Jo gjithnjë në nivelin elitë, por gjithsesi, lajmi është i mirë që Cikalleshi, Çekiçi e Manaj u bënë protagonistë.

Sokol Cikalleshi realizoi në kategorinë e dytë të Turqisë për Akhisarsporin, në suksesin 3-1 ndaj Hataisporit, rezultat që e ngjit skuadrën e tij në vend të parë. Ky ishte goli i dytë radhazi për sulmuesin e kombëtares, pas atij që vulosi derbin e qytetit Beledijespor, ndaj Menemenit. Cikalleshi u kthye në Turqi pasi u zhbllokua me ekipin përfaqësues, duke realizuar dy herë, në ndeshjet e Euro 2020-ës ndaj Francës e Islandës.

Një tjetër lojtar i kombëtares u tregua i rëndësishëm. Ledian Memushaj shënoi për Peskarën në ndeshjen shtëpiake kundër Virtus Entelës në Serinë B të Italisë. Pas katër javësh, skuadra e vlonjatit është tri pikë larg kreut dhe ka ambicie për t’u ngjitur në elitë.

Mbrojtësi kuqezi, Ermir Lenjani, gjithashtu, ka gjetur nivelin maksimal këtë vit. Ai shërbeu për shqiptarin e Zvicrës, Pajtim Kasamin, në golin e dytë të fitores 3-1 të Sionit në fushën e Nojshatelit të Ksamaksit. Kjo fitore e ngjiti Sionin në vend të parë të Superligës së Zvicrës, baraz me Bazelin.

Endri Çekiçi, një pretendent për kombëtaren ende jo i grumbulluar nga trajneri Reja, vazhdoi me nivelin e lartë në Ligën e Parë të Sllovenisë. Ai shënoi bukur në fitoren 3-1 të Olimpijas së Ljubljanës ndaj Bravos. Pogradecari po luan shkëlqyeshëm gjatë gjithë sezonit, dhe po jep ndihmë të rëndësishme që Olimpija të kryesojë kampionatin me 21 pikë pas 10 javësh, po aq sa Aluminij.

Rej Manaj e tregoi veten, ndërkaq, në ligën e dytë të Spanjës. Sulmuesi i përfaqësueses shënoi golin e vetëm në fitoren e vështirë ndaj Malagës, në një derbi shqiptar që pati me Sadikun e Baren. Albasete nuk luajti mirë, por mori tri pikët falë Manajt.

Sfidanti.al