U ka ardhur dita për Junajtidin, “munxë” nga Murinjo, Kin, Sunes!

Nuk ka pasur kurrë një grup kaq të dobët lojtarësh që kur nisi Premier Liga (në 1992). Ky është mendimi për Mançester Junajtidin e tanishëm nga tre analistë të famshëm. Emrat e tyre janë Zhoze Murinjo, Roi Kin dhe Graem Sunes, njerëz që kanë fituar shumë në stol apo në fushë. Shkak për kritikat e tyre u bë disfata e radhës, tepër e rëndë 0-2 në fushën e Uest Hemit, pasi shënuan Jarmolenko dhe Kresuell.

“Mendoj se Man. Junajtid e gjen veten në pozicion shumë të vështirë, – tha Sunes, – problemet nisën shumë herët, më herët sesa Zhoze (Murinjo) shkoi atje, nisën që me largimin e Fergit. Nuk dua të bëj me faj vetëm trajnerët, por sidomos njerëzit që kanë marrë vendimet, dhe që duhet të pranojnë gabimet”.

“Junajtidi është larg Sitit e Liverpulit, – ishin fjalët e Murinjos, – është edhe më larg sesa ishte (kur isha unë?!). Për mua, kjo është dëshpëruese. Ndoshta njerëzit mendojnë se unë po kënaqem me këtë gjendje, por jo, nuk është kështu, po mërzitem. Mendoj se do të jetë e vështirë të arrihen 4 vendet e para, ndoshta edhe 6 vendet e para”.

“Shikoni sesi pësuan golin e parë dhe ajo tregon gjithçka, – tha ish-kapiteni i Junajtidit, Roi Kin, – ja, kemi djaloshin e ri, Xhejms, që sapo ka nisur të luajë, dhe skuadra varet prej tij, ndërsa ai është thjesht një djalë i ri që ka ardhur nga Suonsi. Më vjen keq për Olen (Solskjerin), atij besoj se po i vjen mendja rrotull. Lojtarët që ka aktualisht, nuk janë të mirë për Mançester Junajtidin”.

Sfidanti.al