Gabimet janë pjesë e lojës dhe shpesh lidhen me karakterin apo formimin. Granit Xhaka ndoshta nuk ka çfarë bën që ndonjëherë nxitohet dhe shkakton penallti, por ndoshta as tifozët nuk kanë ç’bëjnë që mallkojnë “momentet e marrëzisë” së kapitenit të tyre. Shqiptari i Zvicrës u vu në vështirësi në “Emirejts”, në duelin e Premier Ligës ndaj Aston Vilës, kur pati mjaft tifozë që e vërshëllyen dhe bënë zhurmë kundër tij.
Gjithsesi, “i duruari, i fituari”, dhe Xhaka ishte ai që qeshi në fund (bashkë me tifozët), sepse Arsenali arriti një fitore tepër të rëndësishme, 3-2, duke qenë në dizavantazh, si dhe me 10 lojtarë në fushë, që në 41’. Vila kryesoi 1-0 e 2-1, por Pepe, Çembërs dhe Obamejang i dhanë suksesin “topçinjve”. Xhaka e mori kartonin e tij të zakonshëm të verdhë, por mori edhe mbështetjen. “Xhaka është një lojtar tepër i rëndësishëm për ne, – tha trajneri Unai Emeri, – ai luajti shumë mirë të enjten në Frankfurt, po ashtu edhe sot (të dielën). E zëvendësova sepse ishte i lodhur, jo sepse nuk isha i kënaqur. Graniti është shumë i përkushtuar dhe është duke u përmirësuar”.
Sfidanti.al