Klop: A ia vlen të flas më për karakterin e Liverpulit tim?!

Kalendari rezervoi pritje, ndërsa duhej të ndiqte fillimisht ndeshjen e rivalit. Futbollistët e Liverpulit dhe trajneri i tyre, Jurgen Klop, patën rastin të shikonin sesi Mançester Siti arriti një fitore dërrmuese 8-0 në Premier Ligë ndaj Uatfordit, një paralajmërim i qartë se çfarë i pret. Klop, ndërsa bëhej gati për duelin ndaj Çelsit në Londër, nuk ngurroi të lavdëronte kampionët në fuqi, duke i quajtur skuadra më e mirë në botë.

A thua, liverpulasit do ta ndjenin presionin dhe do të gabonin në “Stemford Brixh”? Kjo nuk ndodhi aspak, edhe pse sfida ishte tepër e vështirë. Golat e shënuar nga Aleksandër Trent-Arnold dhe Roberto Firmino i dhanë epërsinë e duhur nënkampionëve të Anglisë, të cilët përballuan reagimin e bluve të Londrës, pas pushimit. Edhe pse Çelsi i trajnerit Lampard pati disa lojtarë të rinj, sërish u tregua i rrezikshëm, dhe Klopi lavdëroi lojtarët e tij pas ndeshjes.

“Në të vërtetë, nuk është se duhet të habitem nga karakteri i skuadrës sime, – tha Klopi, – nuk ia vlen ta përsërisim çdo ditë, pasi ne e dimë se duhet të jemi të tillë. Duhet të luftojmë në çdo ndeshje. Ne luajmë për të fituar, dhe kjo fitore ishte e shkëlqyer. Gjithsesi, duhet të vazhdojmë kështu, duhet fituar edhe në fushën e rivalëve”.

Liverpuli ka vetëm një humbje në 45 ndeshjet e fundit në kampionat, atë në fushën e Sitit, ndërsa u bë skuadra e vetme në Premier Ligë që nis dy sezone radhazi me nga 6 fitore njërën pas tjetrës. Më e rëndësishmja, Liverpuli kryeson renditjen me 18 pikë ndaj 13 të Sitit.

Sfidanti.al