Ançeloti siguron Klopin se do fitojë Championsin, por e ëndërron për vete!

Championsin e njeh si shtëpinë e tij. Karlo Ançeloti e fitoi dy herë si lojtar me Milanin, dhe u përsërit po dy herë si trajner me të njëjtën skuadër, atë kuqezi në vitet 2000. Këtë pati parasysh edhe Napoli kur e mori verën e kaluar, dhe të paktën në Ligën e Kampionëve, trajneri i shquar italian nuk zhgënjen. Fitorja 2-0 ndaj Liverpulit nxorri në pah gjithë përvojën e tij të jashtëzakonshme, që i tregoi rrugën një skuadre të pamësuar me këto nivele për të mundur kampionët e kontinentit.

Ishte e dyta fitore radhazi, pas asaj 1-0 vjet po në “San Paolo”, një festë e një publiku dhe një qyteti që di të kremtojë si pak të tjerë, dhe një pohim se futbolli nuk ka respekt për emra e spaleta, por vetëm për atë që jep në fushën e lojës.

“U ndjeva shumë i lumtur me mënyrën sesi luajti skuadra ime, – tha Ançeloti më pas, – e kontrolluam ndeshjen, diçka jo e vogël ndaj një rivali si Liverpuli. Dua të shoh një skuadër që të ketë besim në vetvete. Kolegut tim, Klop, i thashë të mos shqetësohej pasi kur humb me Napolin fiton Championsin”.

Vlerësime të larta edhe nga mediat italiane. “La Gazeta delo Sport”: Napoli-luan! Champions, natë magjike në “San Paolo”, Mertens e Jorente shënojnë, Kulibali një gjigand, munden 2-0 kampionët e Europës në fuqi! “Il Korriere delo Sport”: Si ëndërr! Një Napoli i pjekur fundos Liverpulin 2-0! Të barabartë me kampionët e Europës për 82 minuta, të kaltrit fitojnë në fund! “Tutosport” jep verdiktin për dy ekipet italiane në Champions: Napoli pa kufij, Inter i vogël! Mertens e Jorente shtrijnë në tokë Liverpulin kampion!

Nuk është se Liverpuli luajti keq, përkundrazi, u paraqit më mirë se vjet kur u mund minimalisht. Gjithsesi, në Ligën e Kampionëve kur nuk shënon, rrezikon ta pësosh. Trajneri Jurgen Klop u ankua për gjykimin, duke thënë se penalltia që iu dha Napolit ishte e padrejtë, diçka jokarakteristike për të. Gjithsesi, ai u shpreh i kënaqur nga ajo që pa.

“Luajtëm më mirë se vjet, po ashtu Napoli luajti mirë, – tha gjermani, – duhet ta pranojmë rezultatin dhe të bëjmë autokritikë, ndonëse nuk ishte një paraqitje e keqe nga ana jonë”. Gjithsesi, mediat angleze theksuan se pas kësaj humbjeje, Liverpulit nuk i lejohet më asnjë gabim nëse nuk dëshiron të rrezikojë kualifikimin në një grup ku Salcburgu fitoi 6-2 ndaj Genkut.

Sfidanti.al