Natyrisht, më shumë sesa realitet është ende një ëndërr vere, por Dejvid Bekam ka lënë një takim për të biseduar me Lionel Mesin, dhe do të përpiqet ta marrë në skuadrën e tij, Inter i Majemit. Nga e thëna në të bërë është larg, por çfarëdo që të ndodhë Barcelona e ka tashmë “Mesin e ri”, dhe ky është Ansu Fati, që shënoi golin e tij të dytë për klubin në fitoren 5-2 ndaj Valencias. Siç theksojnë mediat europiane, në “Kamp Nou” nuk ka pasur kaq shumë emocione që nga viti 2004 kur debutoi vetë Mesi.
Adoleshentit, që është vetëm 16 vjeç e 318 ditë, iu deshën vetëm 111 sekonda për të shënuar. Në minutën e 6-të, ai shërbeu për Frenki De Jongun që realizoi golin e dytë, dhe Fati u bë më i riu lojtar i të gjitha kohëve që shënon dhe asiston në një ndeshje të La Ligës. Vetë Mesi ishte i pranishëm në tribunën e “Kamp Nout”, duke admiruar talentin e ri, bashkë me dhjetëra mijë tifozë. Legjenda e tij nisi në gusht, kur u bë shënuesi më i ri i Barçës në një ndeshje të kampionatit. Për më tepër, “gjimnazisti” duket tepër i kompletuar, pasi golin e parë e shënoi me kokë, golin e djeshëm me të djathtën, ndërsa pasimin për De Jongun e dha me të majtën.
Përveç krahasimeve me Mesin, Ansu Fati ka edhe ngjashmëri me Samuel Etonë, Romarion e Ronaldinjon, legjenda të tjera të Barcelonës. Edhe pse i lindur në Guinea Bisau të Afrikës, ai mund të luajë për Spanjën, dhe trajneri i kombëtares spanjolle, Robert Moreno, ishte i pranishëm në stadium.
Sfidanti.al