Trajnerët e futbollit “vdesin” çdo ditë nga pak, dëgjoni Konten e Sarrin!

Mund ta quash hipokrizi, ulje kurrizi për shkak të presionit të ambientit, mund t’i vësh çfarëdo lloj emri, por edhe në futboll je i detyruar të pajtohesh me “politikën korrekte”, me atë që duan tifozët dhe kërkojnë punëdhënësit prej teje. Mjafton të dëgjosh dy “kokëfortë” si trajnerët Mauricio Sarri dhe Antonio Konte, njerëz me karakter të fortë, por që detyrohen të përkulen përpara shumicës.

Sarri, njeriu që u bë i famshëm duke akuzuar e shigjetuar Juventusin, sot është në stolin bardhezi, dhe flet ndryshe. “Sulmet e mia ndaj Juves ishin shfrime nga zemërimi”, – tha ai para ndeshjes në Firence, ndërsa pas saj, u justifikua për barazimin duke thënë se “ishte shumë nxehtë në orën 15:00 në Firence, ndërsa ne kishim dëmtime”. Nëse do të kishte qenë trajner i Fiorentinës, do të shprehej me shpoti se “të plotfuqishmit nuk mund të ankohen”.

Këto ishin pak a shumë fjalët e Kontes, si përgjigje ndaj Sarrit. “Nxehtë? – tha trajneri i Interi në formë pyetjeje, – Sarri le të jetë i qetë pasi tani është në anën e të fortëve”. Pra, në anën e Juves, ku dikur Konte ishte lojtar e trajner, dhe kurrë nuk pranonte se ekipi i tij ndihmohej. Po ashtu, siç thoshte Kapelo në kohën e tij. Duket qartë se duhet karakter i fortë që të sfidosh të fortët deri në fund, ka edhe pasoja, siç ndodhi me Françesko Totin apo Zdenek Zemanin. Pas javës së 3-të në Serinë A, Interi kryeson me 9 pikë, ndaj 7 të Juves e 6 të Napolit. Fitorja e tretë për Konten erdhi me gol të Sensit ndaj Udinezes, ndërsa Napoli mundi 2-0 Sampdorian.

Sfidanti.al