Serena nuk prek dot rekordin, Andreesku fiton US Openin!

Nëse nuk po ia del këto kohë, si do t’ia bëjë kur të jetë edhe më e madhe në moshë? Serena Uilliams u bë lajmi i parë i finales së US Openit, edhe pse ajo ishte humbësja, sepse nuk mundi të barazonte rekordin botëror të Grand Slemeve, mbajtur nga Margaret Kërt me 24 të tillë. Uilliams ka 23, ndërsa kampionia e re e US Openit u bë Bianka Andreesku, një kanadeze me origjinë nga Rumania, që mposhti amerikanen 2-0 (7-5, 6-4).

Në moshën 19-vjeçare, Andreesku mund të quhet ylli i ri i tenisit botëror, një pasardhëse e denjë e Ilia Nastases, legjendës rumune të viteve 70-të. Ndaj Serenës iu desh 1 orë e 40 minuta, ndërsa gjigandja amerikane, tashmë 38 vjeç, gaboi shumë në shërbim. Ishin plot 24 000 tifozë në stadiumin “Arthër Ejsh” (Arthur Ashe), që ndoqën një finale dramatike. Që nga viti 1968, asnjë teniste nga Kanadaja nuk kishte mundur të fitonte një US Open, por tani ja ku doli Andreesku.

Sfidanti.al