Sharapova e ka mundur Serenën kur Obama ishte … senator!

A mund të quhet rivalitet ky? Serena Uilliams e Maria Sharapova kanë qenë emra të mëdhenj të tenisit të femrave dy dekadat e fundit, por dueli mes tyre në US Open ishte si një rrugë me vetëm një kalim. Triumf më shumë sesa i thellë i amerikanes, dhe dorëzim i plotë i ruses që duket se e kishte humbur ndeshjen pa e nisur ende.

Në Arenën e shkëlqyer në Flashing Midous, Serena nuk e tregoi aspak moshën 37-vjeçare, ndoshta e ndihmuar edhe nga paraqitja negative e bukuroshes nga Rusia, por që jeton në Florida. Setet ishin 6-1 e 6-1 në një përballje që zgjati vetëm 59 minuta, e kjo ishte fitorja e 19-të radhazi e Serenës ndaj Maries. Uilliams ndeshet me amerikanen tjetër Meknelli në turin e dytë, ndërsa synon barazimin e rekordit botëror me 24 Grand Sleme në karrierë.

“Hera e fundit që Sharapova mundi Serena Uilliamsin, ishte kur Mark Zukerbergu krijoi Fejsbukun, – shkruajti në Tuiter, një përdorues me emrin “Stedman”, – herën e fundit kur Sharapova mundi Serena Uilliamsin, Barak Obama ishte ende senator në Ilinois”.

Një e papritur ndodhi menjëherë tek femrat, pasi Anzhelikë Kerber u eleminua. Tenistja gjermane u mposht nga gjermanja tjetër, Kristina Mladenoviç, ndonëse fitoi me zero serin e dytë. Rezultati ishte 7-5, 0-6 e 6-4 për Mladenoviçin, ndërsa Kerber është shumë larg formës që e ndihmoi të fitonte US Openin e Australian Openin në 2016, dhe Uimbëlldonin vitin e kaluar.

Me meshkujt nuk pati surpriza, pasi favoritët e kaluan turin e parë. Kampioni në fuqi dhe numri 1 i botës, Novak Gjokoviç, kaloi 3-0 spanjollin Roberto Karvajes Baena. Serbi 32-vjeçar mori setet 6-4, 6-1 e 6-4. Më e vështirë për legjendën Rozher Federer. Zvicerani 38-vjeçar, rekordmeni botëror i Grand Slemeve me 20 fitore, pati nevojë për 4 sete ndaj indianit Nagal. Setet ishin 4-6, 6-1, 6-2 e 6-2 për Federerin.

Sfidanti.al