Dha provën më të madhe, pa më të madhin në fushë. Kampionia e Spanjës vonoi një javë, por kur u shfaq e bëri në mënyrën më të shkëlqyer të mundshme, madje me yjet kryesorë Lionel Mesi e Luis Suarez në tribunë. Heroi i mbrëmjes ishte Antuan Grizman, që bëri debutimin e ëndërruar në La Liga në “Kamp Nou” si lojtar “blaugrana”, duke shënuar dy gola, e duke u treguar një udhëheqës i vërtetë. Barça mundi Betisin 5-2, edhe pse u ndodh në dizavantazh.
Tifozët padyshim e kanë harruar mërinë e tyre me francezin, pasi kur një lojtar e bën ekipin e zemrës që të fitojë, gjithçka lihet pas. Jo më kot, drejtuesit katalanas shpenzuan gati 120 milionë euro për ta marrë kampionin e botës, i cili u duk sikur tha se “çfarë e doni Nejmarin, kur më keni mua”. Edhe ylli i PSG-së, me siguri, do ta ketë pëlqyer ndeshjen dhe do të ketë ndjerë edhe më shumë dëshirë për t’u bashkuar me një ekip të tillë.
Karles Perez shënoi golin e tretë, Zhordi Alba të katërtin dhe Arturo Vidal thelloi avantazhin në 5-1. Fekir kishte shënuar më parë për Betisin, dhe Moron realizoi rrjetën më të bukur të mbrëmjes në fund. Pati pak lavdi edhe për 16-vjeçarin Ansui Fati, që thuajse shënoi, duke u bërë lojtari i dytë më i ri që debuton për Barcelonën në histori.
Sfidanti.al