Seria A, gola si Bundesliga dhe heroizmi i Mihajloviçit

Mbetet ende edhe një ndeshje, por java e parë e Serisë A 2019-2020 u duk si një futboll prej Bundeslige. Plot 29 gola në 9 takime, me mesatare më shumë se 3 për çdo sfidë, diçka që premton se sezoni do të jetë i bukur dhe spektakolar. Si kudo, pati ndeshje ku golat erdhën me “pikatore” si ato të Juventusit, Milanit e Breshës, por edhe nga ato ku pati tundje rrjetash me shumicë. Veçohen Fiorentina-Napoli 3-4, Roma-Xhenoa 3-3 apo Spal-Atalanta 2-3.

Çiro Imobile, Simone Zaza e Luis Muriel imituan Lorenco Insinjen, duke shëuar nga dy gola, ndërsa Lacio dallohet për suksesin 3-0 në Gjenovë ndaj Sampdorias. Xhenoa u tregua luftëtare e vërtetë duke mos u dorëzuar në fushën e Romës, Atalanta kaloi me përmbysje në Ferrarë, ndërsa Bresha u kthye në Serinë A me fitore.

Gjithsesi, momenti më prekës ishte kthimi në stol i Sinisha Mihajloviçit, që po lufton me një sëmundje të rëndë si leuçemia. Një njeri i fortë si ish-ylli serb nuk mund të mungonte më shumë se 40 ditë, duke arritur fitoren personale, ndërsa Bolonja e tij barazoi 1-1 në fushën e Veronës. Gruaja Ariana nuk ia kurseu një “puthje” në rrjetet sociale: Luftëtarët njihen që larg! Më pas, Sinisha u kthye në spital.

Sfidanti.al