Nga humbja e pësuar në stadiumin “Friuli” ranë në sy dy gjëra, së pari që skuadra zhgënjeu, dhe së dyti që trajneri nuk e paska njohur aq mirë ekipin e tij. Marko Xhampaolo u shfaq para gazetarëve dhe deklaroi se lojtarët e tij nuk i kanë karakteristikat e duhura për të interpretuar siç duhet skemën e tij 4-3-1-2, duke shkaktuar habi sesi nuk e kishte ditur një gjë të tillë që më parë.
“Përtej rezultatit, – tha trajneri në debutim, – ndeshja më dha informacion të rëndësishëm se çfarë mund të bëjë skuadra, dhe çfarë jo. Zotërimi i topit duhej të kishte pasur zhvillim më të mirë ofensiv, por për shkak të karakteristikave të interpretuesve, nuk ia dolëm. Vizioni im është një Milan i ndryshëm në fazën sulmuese”. Xhampaolo lavdëroi Suson, si lojtar të shkëlqyer, dhe shtoi se do të duhet një skemë që t’i përshtatet më mirë atij si dhe Piontekut. Ndoshta 4-3-3? “Duhet punuar për të, por mund ta kemi që në ndeshjen e radhës”, – ishte përgjigja e trajnerit. Udineze fitoi 1-0 me gol të shënuar nga debutuesi Bekao.
Sfidanti.al